Ilir Daja, trajneri në diskutim për Dinamon
Dinamo, kampionia e re e kategorisë superiore në sezonin futbollistik
2007-2008, tashmë është pa trajner. Ka ndodhur kështu sepse
Ilir Daja, tekniku që arriti ta nxirrte kampion këtë ekip, e
ka të përfunduar kontratën e tij me dinamovitët. Madje qëndrimi
i tij në krye të bluve varej nga rezultatet që do të kishte
tekniku me Dinamon. "Kontrata e Ilir Dajës - thotë presidenti
Sulaj - tashmë ka përfunduar me mbylljen e kampionatin. Ne do
të ulemi të bisedojmë me të, duke shpresuar që do të gjejmë
gjuhën e përbashkët për vazhdimësinë". E tashmë kanë nisur
"ethet" për riformatimin e Dinamos së re, që sipas
Sulajt jo vetëm do të jetë dinjitoze në Champions League, por
do të vazhdojë përsëri me trofe. .
Futbollistë shqiptarë e të huaj për blutë
Sulaj ka dëshirë ta mbajë këtë skuadër. "Në pjesën më
të madhe - deklaro presidenti Sulaj - skuadra do të jetë ajo
që është. Ne do të ulemi të bisedojmë me ata që u kanë mbaruar
kontratat e më pas gjithçka varet nga lojtarët e jo nga ne.
Pra nëse do t'i pëlqejnë ofertat tona, të cilat do të jenë më
të larta se sezonin e kaluar, atëherë do të jenë pjesë e jona".
Realisht Dinamo llogarit si pjesë të saj, sepse i ka me kontrata
dyvjeçare, kapitenin Pisha e Kulin, kurse të tjerët janë të
gjithë të "ikur". Që nga portieri Kotorri, Pema, Allmuça,
Abraham, Poçi, Vincetiç, Pejiç, Graniç, Bodrusiç, Diob, por
dhe një pjesë e lojtarëve rezervë. Ndonëse të rinjve si Ferraj,
por dhe Mile e Çaushaj, që u huazuan te Teuta, janë me kontrata
3-vjeçare. Ashtu siç ishte dhe Bizhyti me kontratë dyvjeçare,
teksa iku te Shkumbini. "Dëshira ime është që skuadra do
të mbetet kështu siç është. Sigurisht jemi duke menduar dhe
përforcime, kur do të ketë lojtarë nga kampionati shqiptar,
por dhe të huaj".
Sulaj nuk i ndaj titujt kampion
Presidenti Sulaj ka patur mendimin që ky kampionat, jo vetëm
që ishte cilësor dhe i pastër, por pati dhe fortësinë. Sipas
tij, skema e vendosur, por dhe dalja e katër skuadrave në kategorinë
e parë e bënin kampionatin që të mos kishte lëshime. "Ndodhën
të papritura të tilla në këtë kampionat, kur ne na mundi Flamurtarin
në "Selman Stërmasi". Apo kur u mundëm nga Besëlidhja
e Kastrioti, të cilët ishin për mbijetesë. Megjithatë me një
luftë të pastër, kur duhen përmenduar që ekipe si Teuta, Kastrioti,
Besëlidhja, Flamurtari bën kampionat të ndershëm, titulli kampion
ishte i merituar. I dha tonin këtij kampionati dhe Shkumbini.
Nuk besoj se pas asaj ndeshje të bukur me Partizanin ka gojë
të flasë njeri për Dinamon. Të paktën kampi i të kuqve".
Mirëpo Sulaj, që në gjoks ka dy medalje kampioni (2002 dhe 2008),
i ka të vështirë t'i ndajë. "Edhe ai i 2002-it ka qenë
i bukur sepse e kemi marrë kryesimin edhe duke qenë 9 pikë prapa
Tiranës. Ishte grup i mirë lojtarësh, ashtu sikurse dhe ky i
sivjetmi", ka përfunduar Sulaj
Gjergj Vyshka
ALPET, një dorë e mirë te blutë
Prej mëse dy sezonesh në fanellat e bluve tashmë shihet firma
ALPET. Jo vetëm kaq, por të paktën dhe sipas presidentit të
Dinamos, Besnik Sulaj, kjo firmë, që është kompania më e madhe
e karburanteve në Shqipëri, ka ndihmuar dhe financiarisht blutë.
E hapi i parë nga ALPET tashmë për një Dinamo kampione është
ardhja e një autobuzi të ri. "Do të jetë ndër prodhimet
e fundit dhe me kilometrazh zero, çka i shkon për shtat një
skuadre kampione. Jo vetëm kaq, por dhe financiarisht ka ndihmuar.
Por në pjesën më të madhe shpenzimet kanë qenë të miat".
Sulaj e ka të vështirë të përmendi shifra se sa janë shpenzuar,
duke premtuar që do t'i bëjë të ditura në një ditë tjetër. Megjithatë
thotë që është tejkaluar buxheti në masën 10-15 përqind nga
ajo çfarë ishte parashikuar. "Megjithatë, kur je kampion
nuk llogaritet asgjë. Kur kemi qenë dhe korrekt me kontratat
e lojtarëve, atëherë ndjehemi dhe më mirë".
Gj.V.
Abraham shtyn largimin, Diob ikën nesër
Sipas burimeve zyrtare në klubin Dinamo, Abraham Alechenu tashmë
e ka shtyrë biletën e tij për ditën e enjte, teksa do të jetë
për një periudhë pushim në Nigeri. Ndërkaq senegalezi Diob,
gjithnjë sipas këtyre burimeve, do të largohet sot. Blutë janë
duke menduar dhe për vendin e periudhës përgatitore në prag
të ndeshjeve të Champions League.
Gj.V.
|